Institucioni i Avokatit të Popullit është parashikuar për herë të parë në Kushtetutën Shqiptare të miratuar në Nëntor 1998, kurse ligji “Për Avokatin e Popullit” është miratuar nga Parlamenti Shqiptar në shkurt të vitit 1999. Ky ligj është hartuar duke patur parasysh dhe legjislacionin e vendeve të tjera të Evropës, të cilat e kanë krijuar më parë një Institucion të tillë. Drejtimi i Institucionit të Avokatit të Popullit është monokratik. Avokati i Popullit zgjidhet nga tre të pestat e gjithë anëtarëve të Kuvendit për një periudhë 5 vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Ai ka si mision të tij parandalimin e konflikteve të mundshme midis administratës publike dhe individit. Avokati i Popullit vepron në bazë të ankesës apo kërkesës së paraqitur pranë tij. Ai vepron edhe me nismën e vet, për raste të veçanta, të bëra publike, por gjithmonë duhet të marrë më vonë pëlqimin e të interesuarit ose të dëmtuarit.

Në rastet kur Avokati i Popullit fillon proçedurën e shqyrtimit të çështjes me nismën e vet dhe kur kujdestari ose përfaqësuesi i tij ligjor nuk vepron, nuk kërkohet pëlqimi i të dëmtuarit kur është i mitur apo i paaftë mendërisht apo me aftësi të kufizuara ose për mbrojtjen e të drejtave të një numri të madh të individëve.

Në mbrojtje të interesave të një komuniteti të gjërë, të cilët mund të preken nga proçedimi administrativ, Avokati i Popullit ka të drejtë të fillojë një procedim administrativ dhe të marrë pjesë në të, në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurës Administrative.

Avokati i Popullit nuk vendos direkt vetë për t’ju dhënë të drejtat personit që ankohet, por bën rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi i administratës publike që sipas tij ka shkaktuar shkeljen e saj. Në rastet kur organi përkatës nuk reagon ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit, ky i fundit mund t’i drejtohet shkallë-shkallë organeve më të larta në hierarki, deri edhe Kuvendit (Parlamentit) me një raport, duke propozuar edhe masa konkrete për vënien në vend të së drejtës së shkelur.

Janë jashtë juridiksionit të Avokati i Popullit personat dhe aktet e mëposhtme:

Presidenti i Republikës

Kryetari i Këshillit të Ministrave

Urdhërat me karakter ushtarak të Forcave të Armatosura

Konfliktet civile ku nuk janë palë organet e administratës publike (marrëdhëniet civile ndërmjet personave privatë ose tregtarë).

Avokati i Popullit mund të mos fillojë ose ndërpret hetimin në qoftë se e njëjta çështje është vendosur ose është në shqyrtim nga prokuroria apo gjykata. Në këto raste Avokati i Popullit ka të drejtë të kërkojë informacion pranë këtyre organeve. Ai ka të drejtë të kërkojë informacione apo dokumenta që lidhen me çështjen në shqyrtim, edhe kur ato janë të klasifikuara si sekret shtetëror.