“Aleanca kundër gjuhës së urrejtjes” u krijua në 20 Dhjetor 2019 në Tirane, si një nismë e Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Këshillit Shqiptar të Medias për të luftuar fenomenin e “gjuhës se urrejtjes” në të gjitha dimensionet që ai shfaqet në shoqërinë Shqiptare.
Aleanca ka për objekt kryesor të veprimtarisë së saj:
Të luftojë gjuhën e urrejtjes nëpërmjet ngritjes së vetëdijes, informimit dhe kontribuimit në një dialog kombëtar, duke krijuar ura dialogu dhe bashkëveprimi me shoqërinë civile dhe organet publike, mbi pasojat e gjuhës së urrejtjes, ndikimin e saj në zhvillimin demokratik të vendit dhe reduktimin e këtij fenomeni në shoqërinë shqiptare.
Të promovojë lirinë e shprehjes si domosdoshmëri të një shoqërie demokratike duke lehtësuar një debat të hapur dhe sensibilizues për publikun për provomovimin e lajmit në mënyrë korrekte dhe etike, promovimin e diversitetit në media dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri
Të sigurojë një harmonizim më të plotë ndërmjet legjislacionit civil dhe atij penal kundër diskriminimit. Të nxisë publikimin e rregullt dhe të saktë të statistikave për gjuhën e urrejtjes sipas Kodit Penal.
Të sensibilizojë dhe intensifikojë përpjekjet për të parandaluar përdorimin e gjuhës se urrejtjes në internet dhe/ose në mediat sociale, si dhe mënyrat per ta luftuar ate.
Të rrisë aftësimin e mësuesve si dhe forcimin e përpjekjeve në mjedisin arsimor të të gjitha niveleve ndaj fenomeneve negative të gjuhës së urrejtjes dhe parandalimin e saj.
Të rrisë ndërgjegjësimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për detyrimin që kanë për të parandaluar dhe adresuar gjuhën e urrejtjes, krimet e urrejtjes dhe ngacmimit në vendin e punës, si dhe garantimin e përpjekjeve sistematike për luftimin e saj në fushën e shëndetit, sigurisë dhe mjedisin e vendit të punës.
Në realizimin e këtyre objektivave, Aleanca synon të ftojë dhe bashkëpunojë ngushtësisht me individë apo organizatat e shoqërisë civile si dhe organet publike në të gjitha nivelet për të eliminuar gjuhën e urrejtjes dhe pasojat e saj negative në shoqërinë shqiptare.
Për më shume informacion mbi veprimtarinë e Aleancës mund të vizitoni faqet e institucioneve themeluese.