Informacion- Komisioneri per mbrojtjen nga Diskriminimi

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi, më datë 04.02.2010, Ligjin nr. 10 221 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, i cili pas dekretimit nga Presidenti i Republikës dhe botimit në Fletoren Zyrtare, hyri në fuqi më datë 13 Mars 2010.

Ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, erdhi me propozim të një grupi deputetësh dhe është një hap konkret në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nën frymën e dokumenteve ndërkombëtarë dhe njëkohësisht, një hap konkret i përmbushjes së standardeve të anëtarësimit në BE.

Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi është krijuar dhe funksionon në zbatim të Ligjit nr. 10 221 datë 04.02.2010 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, i cili është në përputhje me Direktivat e BE në fushën e mosdiskriminimit, ku përfshihen: Direktiva 2004/43/KE; Direktiva 2000/78/KE; Direktiva 2004/113/KE dhe Direktiva 2006/54/KE. Në këtë aspekt, miratimi i këtij ligji dhe emërimi i Komisionerit është konsideruar si një arritje për Shqipërinë si në aspektin institucional ashtu dhe në atë të mbrojtjes së të drejtave dhe të politikave anti-diskriminim, në “Raportin Analitik 2010, që shoqëron Komunikatën e Komisionit për Parlamentin Evropian dhe Këshillin.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është autoriteti përgjegjës, që siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe nga çdo formë sjelljeje që nxit diskriminimin.

Veprimtaria e tij mbështetet në zbatimin e të gjitha mekanizmave ligjorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.  Aktualisht numri i punonjese ne Institucion eshte 33 individe.