RREGULLORE E BRENDSHME E ORGANIZIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË “ALEANCËS PA URREJTJE”

Neni 1

Objekti

Kjo Rregullore ka për qëllim të përcaktojë në mënyrë të detajuar rregullat e brendshme për organizimin dhe funksionimin e “Aleancës pa urrejtje”, aleancë e krijuar nga institucioni i Avokatit të Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Keshilli Shqiptar i Medias.

Neni 2

Qëllimi dhe misioni i “Aleancës pa urrejtje”

1.  “Aleanca pa urrejtje” është një iniciative e organizmave të përshkruar në nenin 1 të kësaj Rregulloreje, për të angazhuar aktorë vendimmarrës të fushës, për të bashkuar përpjekjet dhe advokuar për luftën kundër gjuhës së urrejtjes, për të promovuar parimin e barazisë në shoqërinë shqiptare, si dhe për të identifikuar mekanizmat për të luftuar gjuhën e urrejtjes në Shqipëri, bazuar në praktikat më të mira evropiane.

2.  “Aleanca pa urrejtje” ka për objekt të veprimtarisë së saj:

-  Ngritjen e vetëdijes, informimin dhe kontribuimin në dialogun, veçanërisht midis të rinjve,  për luftën ndaj gjuhën e urrejtjes, dhe krijimin e urave të dialogut dhe bashkëveprimit me shoqërinë civile dhe organet publike, mbi pasojat e gjuhës së urrejtjes në shoqërinë shqiptare,  ndikimin e saj në zhvillimin demokratik të vendit dhe reduktimin e këtij fenomeni në shoqërinë shqiptare.

- Të promovojë lirinë e shprehjes në shoqërinë demokracike duke lehtësuar një debat të hapur dhe sensibilizues për publikun për provomovimin e lajmit në mënyrë korrekte dhe të drejtë. Për realizimin e këtij objektivi kryen përpjekje për të vendosur një dialog të qëndrueshëm me komunitetin e tanishëm dhe të ardhshëm të mediave. Asnjë grup ose individ nuk mund të përjashtohet si rezultat i gjuhës së urrejtjes dhe “Aleanca pa urrejtje” do të bëjë përpjekje për promovimin e diversitetit në media dhe kontribuimin për një nivel të vazhdueshëm të “konsumit” të lajmeve në respektim të të drejtave të njeriut në Shqipëri.      

- Sigurimi i një harmonizimi më të plotë ndërmjet legjislacionit civil dhe atij penal kundër diskriminimit. Nxitjen e publikimi te rregullt dhe të saktë të statistikave për gjuhën e urrejtjes sipas Kodit Penal.


- Intensifikimin e përpjekjeve për të mundësuar që të gjithë organet publike në Shqipëri të jenë të ndjeshëm dhe të adresojnë çështjen e gjuhës së urrejtjes.

- Sensibilizimin dhe intensifikimin e përpjekjeve për të parandaluar përdorimin e gjuhës e urrejtjes në internet dhe/ose në mediat sociale, si dhe mënyrat e luftimit të tyre.

- Rritja e aftësimit të mësuesve dhe aftësive profesionale të mësuesve, si dhe forcimi i përpjekjeve në mjedisin arsimor të të gjitha niveleve ndaj fenomeneve negative të gjuhës së urrejtjes dhe parandalimin e saj.

 

- Kryerjen e studimeve  dhe dhënien e rekomandimeve, kryesisht ose në bashkëpunim me aktorë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë, për të zbuluar ndikimin që ka gjuha e urrejtjes te individi dhe grupet sociale sidomos ato më të prekshme të ekspozuar ndaj saj dhe rekomandime mbi marrjen e masave legjislative dhe/ose ekzekutive për eleminimin e këtij fenomeni në shoqërinë shqiptare.

- Rritja e ndërgjegjësimit të punëdhënësve dhe punëmarrësve, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për detyrimin për të parandaluar dhe adresuar gjuhën e urrejtjes, krimet e urrejtjes dhe ngacmimit në vendin e punës, si dhe garantimin e përpjekjeve sistematike për luftimin e saj në fushën e shëndetit, sigurisë dhe mjedisit në vendin e punës.

Neni 3

Drejtimi i “Aleancës pa urrejtje”

1.  “Aleanca pa urrejtje” drejtohet me rotacion për çdo periudhë kohore gjashtë mujore, sipas rendit alfabetik të emërtesës së institucionit anëtar të saj.

2.  Institucioni i parë që drejton veprimtarinë e Aleancës për një periudhë gjashtë mujore, duke filluar nga data e miratimit të kësaj Rregulloreje, është institucioni i Avokatit të Popullit.

3.  Detyrat e sekretarisë teknike të “Aleancës pa urrejtje” i kryejnë nëpunës të institucionit që ka drejtimin sipas rotacionit. “Aleanca pa urrejtje” ka gjithashtu asistencën e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë ne kuadrin e projekteve të përbashkëta me Bashkimin Evropian “Mekanizmi horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

Neni 4

Takimet e punës dhe mbledhjet plenare të Aleancës

1. Titullari i institucionit që ka drejtimin e Aleancës, sipas nenit 3 të kësaj Rregulloreje, drejton takimet e punës dhe mbledhjet plenare të Aleancës.

2.  Drejtuesi i takimit të punës/mbledhjes plenare kujdeset për respektimin e rendit të ditës së mbledhjes, jep fjalën për diskutime dhe moderon në mënyrë të paanshme mbledhjet e saj.

3.  Anëtarët e Aleancës në diskutimet dhe veprimtarinë e tyre në kuadër të Aleancës respektojnë normat e etikës.

4.  Në takimet e punës dhe në mbledhjet plenare të Aleancës mund të marrin pjesë nëpunës të institucioneve respektive anëtare të Aleancës. Ata kanë të drejtë të marrin fjalën vetëm nëse ajo i jepet nga drejtuesi i mbledhjes.

5.  Në takimet e punës dhe mbledhjet plenare të Aleancës drejtuesi i saj mund të ftojë të marrin pjesë edhe drejtues të institucioneve të tjera dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare apo projekteve në Shqipëri, si dhe përfaqësues të OJF-ve vendase të angazhuara në fushën e të drejtave të njeriut.

Neni 5

Thirrja e takimeve dhe mbledhjeve të Aleancës

1. Takimet e punës së “Aleancës pa urrejtje” mund të thirren nga:

  • titullari i institucionit kryesues të Aleancës; ose
  • çdo anetar i Aleancës.

2.  Në kërkesën për thirrjen e takimit të punës së Aleancës kërkuesi duhet të paraqesë çështjen/temën për të cilën kërkohet të diskutohet dhe, në rast se e gjykon të nevojshme, edhe qëndrimin që duhet të mbajë Aleanca në formë e një teksti të shkruar. Kërkesës për thirrjen e takimit të punës i bashkëlidhen në çdo rast edhe materialet shoqëruese të saj.

3. Takimi i punës së “Aleancës pa urrejtje” mbahet jo më vonë se 48 orë nga data e paraqitjes së kërkesë për thirrjen e saj. Sekretaria e Aleancës rakordon dhe siguron orarin më të përshtatshëm për zhvillimin e saj.

4. Vendi i takimit të “Aleancës pa urrejtje” përcaktohet rast pas rasti nga titullari i institucionit kryesues të saj.

5.  Mbledhja Plenare e “Aleancës pa Urrejtje” zhvillohet të paktën dy herë në vit dhe i kushtohet një fushe apo teme të veçantë brenda objektit të veprimtarisë së Aleancës. Tema e Mbledhjes Plenare, data e mbajtjes së saj, rendi i ditës së saj, si dhe të gjitha masat e tjera organizative dhe financiare përcaktohen në një mbledhje të posaçme që mbahet për këtë qëllim nga Aleanca.

Neni 6

Kuorumi dhe vendimet e Aleancës

1.  Kuorumi për takimet e punës të “Aleancës pa urrejtje” është kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të saj.

2. Titullari i institucionit kryesues së Aleancës që drejton takimin apo mbledhjen bën verifikimin e kuorumit në fillim të takimit të punës.

3.  Takimet e punës të Aleancës zhvillohen të mbyllura, me përjashtim të rastit kur vendoset ndryshe. Mbledhjet Plenare të Aleancës zhvillohen kurdoherë të hapura për publikun.

4. Të gjitha vendimet që mund të marrë “Aleanca pa urrejtje” duhet të miratohen me konsensusin e të gjithë anëtarëve të saj.

5.  Në përfundim të takimit të punës ose të mbledhjes plenare të Aleancës, titullari i institucionit drejtues të saj harton një komunikatë zyrtare, e cila bëhet publike.

Neni 7

Procesverbalet e mbledhjeve

1.   Në takimet e punës dhe mbledhjet plenare të “Aleancës pa urrejtje”  mbahet procesverbal  i përmbledhur.

2.   Sekretaria përgatit procesverbalin e përmbledhur të takimit të punës ose të mbledhjes plenare menjëherë, nëse është e mundur, dhe në çdo rast jo më vonë se 24 orë pas mbajtjes së takimit/mbledhjes.

3.   Në procesverbalin e përmbledhur shënohet data e zhvillimit të takimit/mbledhjes, çështjet që shqyrtohen, pjesëmarrja e anëtarëve të Aleancës dhe e të ftuarve, si dhe përmbledhja e diskutimeve të bëra apo votimi nëse ka të tillë.

4.  Procesverbali, kur zbardhet brenda 24 orësh sipas 2 të këtij neni, i dërgohet me e-mail anëtarëve të Aleancës të cilët kanë të drejtë të paraqesin observacionet e tyre brenda 24 orësh nga momenti i marrjes së tij.

5.  Procesverbalet e takimeve të punës ose mbledhjeve plenare nënshkruhen nga titullari i institucionit që kryeson Aleancën dhe depozitohen në protokollin e institucionit kryesues.

Neni 8

Grupet e punës

1. “Aleanca pa urrejtje” në përmbushjen e misionit dhe objektivave të saj mund të vendosë ngritjen e grupeve të posaçme të punës. Në vendimin për ngritjen e grupeve të posaçme të punës përcaktohen detyrat e grupit të punës, afati dhe përbërja e tyre.

2. Aleanca për mirëfunksionimin e grupeve të punës ka të drejtë të kërkojë mbështetjen financiare, me ekspertizë ose në cdo formë tjetër që e gjykon të nevojshme nga projektet dhe/ose organizatat e huaja  apo projektet që ushtrojnë veprimtarine e tyre ne Shqipëri ose nga OJF-të vendase.

Neni 9

Adresat e komunikimit zyrtar

Anëtarët e Aleancës dekalarojnë adresat e mëposhtme të e-mailit dhe numrat e telefonit, të cilat janë pikat e kontaktit zyrtar për secilin institucion themelues të Aleancës;

- Avokati i Popullit:  

e-mail:      telefon:

- Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi:

 e-mail:            telefon:

- AMA:   

e-mail:       telefon:

- Këshilli Shqiptar i Medias:

e-mail:       telefon:

Neni 10

Logoja dhe dokumentacioni

1. “Aleanca pa urrejtje” ka logon e saj e cila miratohet me vendim të veçantë të Alencës. Logoja e “Aleancës pa urrejtje” shfaqet në eebsitein dhe në mediat sociale të secilit prej institucioneve themeluese të Aleancës.

2. Dokumentacioni i krijuar gjatë veprimtarisë së Aleancës, sipas kësaj rregulloreje, mbahet në protokollin e çdo institucioni themelues të saj.

Neni 11

Hyrja në fuqi

Kjo Rregullore hyn në fuqi ditën e miratimit të saj nga “Aleanca pa urrejtje”.