REPUBLIKA E SHQIPERISE
KUVENDI
LIGJI
Nr.8454, datë 4.2.1999, plotësuar me ligjin nr.8600 datë 10.04.2000, ndryshuar me ligjin nr.9398, datë 12.05.2005, shtuar dhe ndryshuar me ligjin nr.155/2014, datë 27.11.2014:
“PËR AVOKATIN E POPULLIT”
Në mbështetje të neneve 60-63, 81 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave.
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave të organizimit dhe të funksionimit të Avokatit të Popullit.
Neni 2
Detyrat e Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj. Ai është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.
Avokati i Popullit i udhëhequr nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë ushtron veprimtarinë në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të njeriut, të parashikuara në dispozita kushtetuese dhe në ligje. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për mbrojtjen e të drejtave të të huajve, të cilët janë ose jo, rezidentë të rregullt në Shqipëri, të refugjatëve, azilkërkuesve si dhe të personave pa shtetësi që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas kushteve të parashikuara në ligj.
Avokati i Popullit kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligje të veçanta.
Neni 3
Kushtet për t’u zgjedhur Avokat i Popullit
Avokat i Popullit mund të jetë çdo person që plotëson këto kushte:
a): të jetë shtetas shqiptar.
b): të ketë njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
c): të shquhet për aftësi profesionale dhe figure të pastër etiko-morale;
ç): të mos jetë dënuar penalisht
d): të mos jetë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin a zgjedhjen e tij.
KREU II
ZGJEDHJA, HEQJA DHE TË DREJTAT E AVOKATIT TË POPULLIT
Neni 4
Mënyra e zgjedhjes së Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Para marrjes ose rimarrjes së detyrës Avokati i Popullit bën betimin para Kuvendit. Formula e betimit është: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do të mbroj kurdoherë liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve pa dallim, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë”.
Neni 5
Kohëzgjatja në detyrë
Avokati i Popullit zgjidhet në detyrë për një periudhë prej pesë vjetësh me të drejtë rizgjedhjeje.
Neni 6
Imuniteti dhe paga
Avokati i Popullit paraqet raport vjetor përpara Kuvendit. Avokati i Popullit raporton përpara Kuvendit kur i kërkohet prej këtij, si dhe mund t’i kërkojë Kuvendit të dëgjohet për çështje që ai i çmon si të rëndësishme. Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Paga e tij barazohet me atë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Neni 7
Mbarimi i mandatit të Avokatit të Popullit
Mandati i Avokatit të Popullit mbaron:
a): kur jep dorëheqjen;
b): kur mbaron afati 5-vjeçar i qëndrimit në këtë funksion;
c): me vdekjen e tij;
ç): kur shkarkohet.
Neni 8
Shkarkimi i Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit shkarkohet nga funksioni vetëm në rastet kur:
a): është dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë;
b): është i paaftë mendërisht a fizikisht për të ushtruar funksionet e tij;
c): kryen veprimtari në kundërshtim me parashikimet e nenit 10 të këtij ligji;
ç): nuk paraqitet në detyrë për më shumë se 3 muaj.
Mocioni për shkarkimin e Avokatit të Popullit bëhet së paku me 1/3 e deputetëve të Kuvendit.
Vendimi për shkarkimin nga funksioni të Avokatit të Popullit merret me 3/5 e votave të deputetëve të Kuvendit.
Neni 9
Zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit
1. Kuvendi i Shqipërisë, jo më vonë se tre muaj përpara përfundimit të mandatit të përcaktuar në nenin 7, shkronja “b”, publikon shpalljen e vendit vakant të Avokatit të Popullit. Në këtë rast, Avokati i Popullit qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e Avokatit të ri.
2. Në rastet e tjera të mbarimit të mandatit, sipas këtij ligji, shpallja për vendin vakant të Avokatit të Popullit bëhet nga Kuvendi, brënda 10 ditëve nga krijimi i vakancës. Në këto raste, komisioneri më i vjetër në detyrë kryen funksionin e tij deri në zgjedhjen e Avokatit të ri.
3. Me ftesë të hapur publike të Kuvendit, çdo shtetas, i cili plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj, mund të paraqesë kandidaturën për Avokat të Popullit.
4. Lista e kandidatëve i kalon komisionit të Kuvendit që mbulon çështjet ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni për çështjet ligjore organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në përfundim të procesit dëgjimor, komisioni miraton listën e plotë të kandidatëve të paraqitur së bashku me vlerësimin për përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature.
5. Kandidaturat për Avokat të Popullit i paraqiten Kuvendit me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë, të përzgjedhur në radhët e kandidatëve që përmbushin kriteret kushtetuese e ligjore dhe meritën, sipas vlerësimit të komisionit që mbulon çështjet ligjore, në listën e miratuar prej tij.
6. Avokati i Popullit zgjidhet nga tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit.
Neni 10
Papajtueshmëritë me funksionin e Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit ndalohet të bëjë pjesë në parti apo organizata politike, të kryejë veprimtari tjetër politike, shtetërore e profesionale dhe të marrë pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare. Ai mund të ushtrojë të drejtën si autor e mësimdhënës.
Neni 11
Sigurimi i punës së mëparshme të Avokatit të Popullit
Me mbarimin e funksionit sipas shkronjave “a” e “b” të nenit 7, Avokati i Popullit ka të drejtë të rimarrë funksionin ose punën publike që kishte para zgjedhjes si Avokat i Popullit.
Kur kjo nuk është e mundur, duhet t’i sigurohet një punë e barazvlefshme me atë që ai kishte përpara zgjedhjes në detyrën e Avokatit të Popullit.
KREU III
ANKESAT, RREGULLAT E SHQYRTIMIT TË ÇËSHTJEVE DHE KOMPETENCAT E AVOKATIT TË POPULLIT
Neni 12
E drejta për t’u ankuar
Çdo individ, grup individësh ose organizata joqeveritare, që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat dhe liritë dhe interesat e tyre të ligjshme nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, kanë të drejtë të ankohen ose të njoftojnë Avokatin e Popullit dhe të kërkojnë ndërhyrjen e tij për vënien në vend të së drejtës ose lirisë së shkelur.
Avokati i Popullit duhet të ruajë fshehtësinë nëse e sheh të arsyeshme si dhe nëse kjo kërkohet nga personi që bën ankesën, kërkesën apo njoftimin.
Neni 13
Fillimi i shqyrtimit të çështjes
Avokati i Popullit fillon procedurën e shqyrtimit të çështjes kur vëren ose dyshon se ka ndodhur një shkelje e së drejtës, në bazë të ankesës apo të kërkesës së personit të interesuar ose të dëmtuar, si dhe me nismën e vet, për raste të veçanta të bëra publike.
Në rastet kur Avokati i Popullit fillon proçedurën e shqyrtimit të çështjes me nismën e vet dhe kur kujdestari ose përfaqësuesi i tij ligjor nuk vepron, nuk kërkohet pëlqimi i të dëmtuarit kur është i mitur apo i paaftë mendërisht apo me aftësi të kufizuara ose për mbrojtjen e të drejtave të një numri të madh të individëve.
Në mbrojtje të interesave të një komuniteti të gjërë, të cilët mund të preken nga proçedimi administrativ, Avokati i Popullit ka të drejtë të fillojë një procedim administrativ dhe të marrë pjesë në të, në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurës Administrative.
Neni 14
Kushtet e pranimit të ankesave, kërkesave apo njoftimeve
Avokati i Popullit mund të mos fillojë ose ndërpret hetimin në qoftë se e njëjta çështje është vendosur ose është në shqyrtim nga prokuroria apo gjykata. Në këto raste, ai ka të drejtë të kërkojë informacion pranë këtyre organeve, të cilat duhet t’u përgjigjen kërkesave të tij sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 30 ditë.
Neni 15
Moskërkimi i formës për ankesat dhe njoftimet
Për ankesat, kërkesat dhe njoftimet drejtuar Avokatit të Popullit nuk kërkohet ndonjë formë e caktuar, por ato duhet të shprehin qartë objektin e ankimit ose të kërkesës. Avokati i Popullit nuk pranon ankesa ose kërkesa anonime.
Neni 16
Shërbim pa pagesë
Çdo shërbim që bëhet nga Avokati i Popullit lidhur me ankesat, kërkesat e njoftimet është pa pagesë.
Neni 17
Administrimi i ankesave ose njoftimeve nga Avokati i Popullit
Avokati i Popullit, pasi njihet me ankesën, kërkesën apo njoftimin për një shkelje, vendos:
a): ta pranojë ose jo çështjen për shqyrtim;
b): t’i kthejë përgjigje të interesuarit, duke i treguar të drejtat dhe rrugët nëpërmjet të cilave ai mund ta mbrojë këtë të drejtë;
c): t’ia kalojë çështjen organit kompetent.
Në të gjitha rastet e mësipërme, Avokati i Popullit njofton të interesuarit brënda 30 ditësh nga dita e marrjes së ankesës, kërkesës ose njoftimit.
Neni 18
Procedura pas pranimit të ankesës, kërkesës apo njoftimit për shqyrtim
Pas pranimit të ankesës, kërkesës apo njoftimit për shqyrtim, Avokati i Popullit kryen njërën nga veprimet e mëposhtme:
a): ndërmerr vetë një proces hetimi;
b): kërkon shpjegime nga organet e administra-tës, si dhe prokuroria, në rastet e arrestimeve dhe ndalimeve;
c): i rekomandon Kontrollit të Lartë të Shtetit të ushtrojë funksionet e veta.
Neni 19
Procedura e hetimit
Në rastet kur vendos të kryejë hetime të pavarura, Avokati i Popullit ka të drejtë:
a): të kryejë hetime në vend, përfshirë edhe hyrjen në çdo zyrë të institucioneve publike dhe këqyrjen në vend të akteve apo dokumenteve që kanë lidhje me çështjen që heton.
b): të kërkojë shpjegime nga çdo organ i administratës qendrore dhe vendore, si dhe të marrë çdo dosje apo material që ka lidhje me hetimin;
c): të marrë në pyetje çdo person që, sipas tij, është i lidhur me çështjen nën hetim, dhe të thërrasë në zyrën e tij të gjithë personat pa imunitet;
ç): të kryejë ose të kërkojë ekspertiza.
Avokati i Popullit ka të drejtë të caktojë një afat për kryerjen e veprimeve të mësipërme.
Neni 19/1
Avokati i Popullit apo personat e autorizuar prej tij kanë të drejtë të hyjnë në çdo kohë, pa kufizim e pa autorizim paraprak, por duke vënë në dijeni titullarin e institucionit, në të gjitha institucionet e administratës publike, në burgje, në vende ku policia ose prokuroria mbajnë persona të shoqëruar, të ndaluar apo të arrestuar, (të paraburgosurit), në reparte apo institucione shtetërore, spitale psikiatrike, në azile, në shtëpi fëmije, si dhe në çdo vend tjetër kur ka të dhëna dhe çmon se ekziston mundësia e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut.
Hyrja në të gjitha mjediset e mësipërme mund të bëhet si për të hetuar një ankesë, një kërkesë ose njoftim të caktuar, ashtu edhe me nismën e Avokatit të Popullit për qëllime inspektimi apo studimi. Avokati i Popullit në këto raste mund të marrë takim, të bisedojë në mënyrë konfidenciale e pa praninë e personave zyrtarë me cilindo person që ndodhet apo mbahet në këto mjedise.
Çdo lloj korrespondence e këtyre personave me Avokatin e Popullit nuk duhet të pengohet ose të kontrollohet.
Neni 20
E drejta për të kërkuar informacione apo dokumente sekrete shtetërore
Avokati i Popullit ka të drejtë të kërkojë edhe informacione apo dokumente, që lidhen me çështjen në shqyrtim, të klasifikuara si sekret shtetëror. Në këto raste, ai është i detyruar të respektojë kërkesat për ruajtjen e sekretit shtetëror.
Neni 21
Veprimet pas përfundimit të hetimit dhe kompetencat
Pas përfundimit të hetimit, Avokati i Popullit kryen këto veprime:
a): i shpjegon ankuesit se të drejtat e tij nuk janë shkelur;
b): paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ, që, sipas tij ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive;
Paraqitja e rekomandimit pezullon aktet ose veprimet e paligjshme apo të parregullta deri në shqyrtimin e këtij rekomandimi dhe dhënien e përgjigjes Avokatit të Popullit.
c): paraqet rekomandime për marrje masash për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi epror i organit që ka shkaktuar shkeljen; Mosshqyrtimi i rekomandimit brënda 30 ditëve pezullon aktet ose veprimet e paligjshme ose të parregullta.
ç): i rekomandon prokurorisë të fillojë hetime në qoftë se vëren se është konsumuar figura e një vepre penale; ose të rifillojë hetimet e pushuara ose të pezulluara.
d): për shkelje të rënda, të vëna re, i propozon çdo organi, si dhe Kuvendit, shkarkimin e funksiona-rëve që janë kompetencë e tyre;
dh): për shkelje të të drejtave nga organet e pushtetit gjyqësor, pa ndërhyrë në procedurën që ato zbatojnë, Avokati i Popullit i bën të ditur shkeljet organit kompetent;
e): u rekomandon personave të dëmtuar të paraqesin padi në gjykatë;
Rastet e mësipërme nuk përjashtojnë njëri-tjetrin.
Neni 22
Detyrimi i organeve të administratës për t’ju përgjigjur rekomandimeve të Avokatit të Popullit
Organet, të cilave Avokati i Popullit u ka drejtuar një rekomandim, kërkesë apo propozim për shkarkim, duhet ta shqyrtojnë rekomandimin, kërkesën apo propozimin për shkarkim dhe të kthejnë përgjigje brënda 30 ditësh nga data e dërgimit të rekomandimit, kërkesës apo propozimit për shkarkim. Përgjigjja duhet të përmbajë shpjegime të arsyetuara për çështjen në fjalë, si dhe çfarë veprimesh, mosveprimesh apo masash ka ndërmarrë ai organ.
Avokati i Popullit duhet të njoftohet dhe ka të drejtë të marrë pjesë e të flasë në mbledhjet e organeve kolegjale të administratës publike, ku merret në shqyrtim rekomandimi, kërkesa apo propozimi i tij.
Neni 22/1
Sanksionet për mosbashkëpunimin me Avokatin e Popullit
Refuzimi për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit nga nëpunësi civil, funksionari ose autoriteti publik përbën shkak që Avokati i Popullit të kërkojë nga autoriteti kompetent fillimin e proçedurës administrative dhe marrjen e masave disiplinore deri në largimin nga puna ose nga shërbimi civil.
Neni 23
Ndjekja e mëtejshme e çështjes nga Avokati i Popullit
Në rast se Avokati i Popullit nuk i quan të mjaftueshme përgjigjet ose masat e ndërmarra nga organi, ai ka të drejtë ta ndjekë çështjen tek organi më i lartë në hierarki. Në rastet e përsëritura si dhe kur organi përkatës nuk reagon ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit, ky i fundit mund t’i drejtohet edhe Kuvendit me një raport, duke propozuar edhe masa konkrete për vënien në vend të së drejtës së shkelur.
Neni 24
E drejta e Avokatit të Popullit për rekomandime legjislative
Kur Avokati i Popullit vëren se është vetë përmbajtja e ligjit ose e akteve të tjera normative dhe jo zbatimi i tyre, shkaku që krijon premisa për shkelje të të drejtave të njeriut, të njohura nga Kushtetuta ose ligjet e tjera, ka të drejtë:
a): t’u rekomandojë organeve që kanë të drejtën ligjvënëse të bëjnë propozime për ndryshimin dhe përmirësimin e ligjeve;
b): t’u propozojë organeve të administratës ndryshimin ose përmirësimin e akteve nënligjore; mosshqyrtimi i propozimit brënda 30 ditëve sjell si pasojë pezullimin e fuqisë së akteve nënligjore që shkaktojnë shkelje të të drejtave dhe lirive.
c): të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e akteve të tilla.
Neni 25
Personat dhe aktet jashtë juridiksionit të Avokatit të Popullit
Janë jashtë juridiksionit të Avokatit të Popullit personat dhe aktet e mëposhtme:
a): Presidenti i Republikës.
b): Kryetari i Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu, janë jashtë juridiksionit të Avokatit të Popullit:
Urdhërat me karakter ushtarak të Forcave të Armatosura
Avokati i Popullit pranon ankesa, kërkesa ose njoftime për shkelje të të drejtave të njeriut, që rrjedhin nga administrata e pushtetit gjyqësor dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore. Hetimi dhe kërkesa e Avokatit të Popullit nuk prekin pavarësinë e gjykatës në marrjen e vendimit.
KREU IV
MARRËDHËNIET E AVOKATIT TË POPULLIT ME KUVENDIN, INSTITUCIONET E TJERA SHTETËRORE DHE ME ORGANIZATAT JOQEVERITARE
Neni 26
Raportimi në Kuvend
Avokati i Popullit paraqet në Kuvend një raport vjetor, i cili diskutohet në seance plenare. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Këshillit të Ministrave.
Raporti vjetor për vitin pasardhës duhet të paraqitet jo më vonë se 30 prilli i vitit në vazhdim.
Neni 27
Raportimet e veçanta në Kuvend
Përveç raportit vjetor, Avokati i Popullit mund të paraqesë, me nismën e tij ose me kërkesën me shkrim të Kryetarit të Kuvendit ose të një grupi deputetësh, raporte të veçanta, për çështje të ndryshme brënda funksioneve të tij, veçanërisht nëse ajo përbën shkelje të të drejtave kushtetuese dhe ligjore. Kryetari i Kuvendit vlerëson nëse ky raportim do të trajtohet:
a. në seancë plenare;
b. me shpërndarje të raportit;
c. në komisionet e përhershme të Kuvendit ose nënkomisionet përgjegjëse;
Edhe në këto raste, kopje të këtij raporti i dërgohen Presidentit të Republikës, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, si dhe organit më të lartë epror, vartësit e të cilëve janë përmendur në raport.
Neni 28
Raporti Vjetor i Avokatit të Popullit shqyrtohet në Kuvend brënda 3 (tre) muajve nga depozitimi. Raportet e veçanta të Avokatit të Popullit diskutohen në Kuvend brënda 2 (dy) muajve nga depozitimi. Nëse raporti vjetor ose raportet e veçanta nuk diskutohen nga Kuvendi, brënda afateve të parashikuara në këtë dispozitë, Avokati i Popullit ka të drejtë të publikojë raportin. Në çdo rast të shqyrtimit të këtyre raporteve nga Kuvendi, Avokati i Popullit publikon gjithashtu rezolutën e Kuvendit ose format e tjera të reagimit parlamentar.
Neni 29
Përgatitja e raporteve për të drejtat e njeriut
Avokati i Popullit kontribuon në përgatitjen e raporteve të shtetit shqiptar për organizmat ndërkombëtarë, në zbatim të konventave të ratifikuara nga shteti shqiptar, lidhur me të drejtat e liritë e njeriut në Republikën e Shqipërisë dhe mund të paraqesë pranë tyre raporte paralele. Avokati i Popullit nxit përfshirjen e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, të parashikuara në Kushtetutë dhe në legjislacionin në fuqi në programet mësimore, si dhe zbatimin e tyre në institucionet arsimore.
Neni 30
Bashkëpunimi me organizatat joqeveritare
Në kryerjen e funksioneve të veta, Avokati i Popullit bashkëpunon ngushtë me organizatat joqeveritare, duke marrë periodikisht mendimet e tyre për gjendjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut.
Avokati i Popullit, në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, organizon, të paktën një here në vit, veprimtari kombëtare për gjendjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Republikën e Shqipërisë.
KREU V
KOMISIONERËT, ZYRA E AVOKATIT TË POPULLIT DHE BUXHETI
Neni 31
Zyra e Avokatit të Popullit ndahet në pesë seksione të specializuara, në krye të të cilave vendosen komisionerët.
Këto seksione janë:
1. Seksioni për organet e administratës qendrore, të pushtetit vendor dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të tyre.
2. Seksioni për policinë, shërbimin sekret, burgjet, Forcat e Armatosura dhe pushtetin gjyqësor.
3. Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të Egër, Çnjerëzor ose Poshtërues.
4. Seksioni për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve.
5. Seksioni i përgjithshëm.
Në varësi të nevojave të institucionit, Avokati i Popullit vendos që pranë seksioneve të ngrihen dhe të funksionojnë nënseksione të posaçme, të cilat përcaktohen në rregulloren e brendshme të institucionit.
Neni 31/1
Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të Egër, Çnjerëzor ose Poshtërues
Avokati i Popullit ushtron funksionet e Mekanizmit Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues në përputhje me Kushtetutën, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi. Mekanizmi Kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues organizohet dhe funksionon si seksion i veçantë i Avokatit të Popullit.
Neni 32
Emërimi i një përfaqësuesi vendor
Në rastet kur Avokati i Popullit e sheh të arsyeshme, ai mund të emërojë një përfaqësues të tij vendor për një çështje dhe kohe të caktuar. Organet e pushtetit vendor kanë për detyrë t’a pajisin këtë përfaqësues me zyrë, si dhe t’i krijojnë kushtet e nevojshme të punës, për zbatimin e gjithë kërkesave të këtij ligji. Ky përfaqësues paguhet nga buxheti i Avokatit të Popullit.
Neni 33
Kushtet për t’u zgjedhur komisioner dhe paga e tyre
1. Komisioner mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që në momentin e kandidimit përmbush këto kushte ligjore:
a) Të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, diplomë “Master shkencor” ose tituj të ekuivalentuar me të;
b) Të ketë vjetërsi në profesion si jurist, jo më pak se 10 vjet;
c) Të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;
ç) Të mos jetë anëtar i partive politike, deputet, ministër, zëvendësministër.
2. Kandidati që përmbush kushtet ligjore, të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, zgjidhet komisioner në bazë të këtyre kritereve objektive:
a) Vjetërsisë në profesion;
b) Ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë dhe gëzimit të titujve shkencorë;
c) Njohurive të thelluara dhe/ose kualifikimit në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
ç) Veprimtarisë së njohur në opinionin publik, në mbrojtjen dhe nxitjen e respektimit të të drejtave dhe lirive të shtetasve;
d) Të gëzojë integritet të lartë moral dhe figurë të pastër etiko-morale;
3. Paga e komisionerëve është sa dy të tretat e pagës së Avokatit të Popullit.
Neni 33/1
Zgjedhja e komisionerëve
1. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë për një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
2. Avokati i Popullit, jo më vonë se tre muaj përpara përfundimit të mandatit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, publikon shpalljen për vendin vakant të komisionerit.
3. Në rastet e tjera të mbarimit të mandatit, sipas këtij ligji, shpallja për vendin vakant të komisionerit bëhet kryesisht nga Kuvendi, brënda 10 ditëve nga krijimi i vakancës.
4. Me ftesë të hapur publike të Avokatit të Popullit, çdo shtetas, i cili plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj, mund të paraqesë kandidaturën për komisioner pranë Avokatit të Popullit. Avokati i Popullit merr në shqyrtim dhe verifikon përmbushjen e kushteve dhe kritereve ligjore të çdo kandidature, me anë të një procesi të hapur dhe publik.
5. Avokati i Popullit, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, që veprojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, organizon procesin për shqyrtimin dhe vlerësimin e kandidaturave.
6. Lista me katër kandidatët e përzgjedhur nga Avokati i Popullit për çdo vend vakant, së bashku me vlerësimin e tij për përmbushjen e kushteve dhe kritereve ligjore dhe renditjen e kandidaturave, sipas preferencës së tij, i kalon komisionit të Kuvendit që mbulon çështjet ligjore, jo më vonë se 45 ditë përpara përfundimit të mandatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
7. Komisioni i Kuvendit që mbulon çështjet ligjore organizon seanca dëgjimore publike me katër kandidatët e përzgjedhur për çdo vend vakant nga Avokati i Popullit.
8. Pas marrjes në shqyrtim të katër kandidaturave për çdo vend vakant, komisioni përzgjedh për t’iu paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatë, ose në rast barazie votash edhe më shumë kandidatë, të cilët gëzojnë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit.
9. Kandidatët e përzgjedhur, sipas procedurës së parashikuar në pikat 7 dhe 8 të këtij neni, i kalojnë Kuvendit për votim.
Neni 34
Mbarimi i mandatit dhe shkarkimi i komisionerëve
Parashikimet e këtij ligji për rastet e mbarimit të mandatit dhe shkarkimit të Avokatit të Popullit zbatohen edhe për komisionerët. Komisioneri mund të shkarkohet nga Kuvendi me kërkesë të motivuar të së paku 1/3 së deputetëve të Kuvendit ose të Avokatit të Popullit.
Në rastet e përfundimit të kohëzgjatjes së mandatit të komisionerit, sipas nenit 7, shkronja “b”, ai/ajo vazhdon të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e komisionerit të ri.
Avokati i Popullit cakton një prej komisionerëve në detyrë për të zëvendësuar komisionerin të cilit i ka mbaruar mandati në rastet e tjera të parashikuara në këtë ligj, deri në zgjedhjen e komisionerit të ri.
Neni 35
Organizimi dhe personeli i Zyrës së Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit organizohet në nivel qendror dhe vendor, mbështetur në nevojat e institucionit dhe Buxhetin e Shtetit.
Struktura dhe organika e institucionit caktohen nga Avokati i Popullit në përputhje me numrin e punonjësve të miratuar në buxhetin vjetor të institucionit.
Personeli i Zyrës së Avokatit të Popullit bën pjesë në shërbimin civil të Republikës së Shqipërisë.
Avokati i Popullit dhe komisionerët përfitojnë falas Fletoren Zyrtare.
Neni 36
Buxheti i Avokatit të Popullit
Projektbuxheti i Avokatit të Popullit propozohet nga Avokati i Popullit, në përputhje me ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, dhe miratohet nga Kuvendi.
Avokati i Popullit përgatit për çdo vit llogaritë e veta, në përputhje me ligjin për menaxhimin financiar dhe kontrollin. Llogaritë financiare të institucionit të Avokatit të Popullit kontrollohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Neni 37
Donacionet që mund t’i jepen Avokatit të Popullit
Avokati i Popullit mund të përfitojë nga donacione të ndryshme financiare ose materiale. Donacionet duhet të jenë pa kushte që mund të kompromentojnë pavarësinë, paanësinë dhe kushtetushmërinë e veprimtarisë së Avokatit të Popullit. Donacionet duhet të deklarohen dhe të shënohen në një regjistër që zyra e Avokatit të Popullit mban për këtë qëllim. Në fund të vitit, Avokati i Popullit detyrohet të çojë një kopje të regjistrit me hyrjet dhe daljet në Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe një kopje në Komisionin e Përhershëm të Ekonomisë, Financave dhe Privatizimit. Regjistri duhet të përmbajë llojin e ndihmës, masën, kohën, subjektin që jep donacionin dhe mënyrën e lëvrimit të donacionit. Regjistri duhet të përmbajë edhe identitetin dhe nënshkrimin e dhuruesit.
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE
Neni 38
Dispozita kalimtare
Brënda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji Kuvendi zgjedh Avokatin e Popullit.
Neni 38/1
Dispozitë kalimtare
Komisionerët e zgjedhur para hyrjes në fuqi të këtij ligji vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, sipas kohëzgjatjes së mandatit të parashikuar në kohën e emërimit të tyre.
Avokati i Popullit, brënda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, publikon shpalljen për vendin vakant për komisionerët që do të drejtojnë dy seksionet e krijuara me këtë ligj.
Neni 39
Rregullorja e brendshme
Avokati i Popullit miraton rregulloren e brendshme të institucionit, e cila hartohet në bashkëpunim me komisionerët.
Neni 40
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.