Këshilli Shqiptar i Medias është një organizatë e pavarur gazetarësh, e regjistruar ligjërisht si një Organizatë Jo-Fitimprurëse (OJF), që synon krijimin e medias së pavarur, etike dhe profesionale në Shqipëri. Organizata është themeluar në vitin 2015, si një iniciativë e 7 profesionistëve të medias, të ndërgjegjshëm për rëndësinë e cilësisë së raportimit në media dhe me synimin për të promovuar vetë-rregullimin në komunitetin e gazetarëve, si një levë e rëndësishme për të rivendosur dhe ruajtur besimin e publikut Shqiptar.
Anëtarët themelues të Këshillit janë 30 gazetarë shqiptarë të televizionit, medias së shkruar dhe asaj online.
Organi drejtues i KSHM-së është Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve dhe Bordi drejtues i përbërë nga 5 anëtarë.
Ndërsa Kodi i Etikës së Medias, në Shqipëri është hartuar në vitin 1996 dhe sërish në vitin 2006, përpjekjet për të ngritur një Këshill të Medias Shqiptare kanë dështuar në vite, pavarësisht faktit se, shkelja e kodit është e vazhdueshme, madje dhe është kthyer në standard.
Këshilli Shqiptar i Medias, ka ngritur një Qendër për ankesat, që ka si qëllim:
Të adresojë ankesa për shkelje të caktuara të etikës nga ana e gazetarëve
Të forcojë funksionin e Kodit të Etikës nëpërmjet vënies në dukje të çdo rasti shkelje duke paraqitur gjetjet më praktike
Të rivendosë dhe ruajë besimin e publikut ndaj medias
Të krijojë një bazë të dhënash për rastet e identifikuara të shkeljes së Kodit të Etikës, të cilën do ta vendosë në dispozicion të publikut dhe organizatave të tjera të interesuara
Të krijojë raporte të besueshme për organizatat e përfshira ne mbarëvajtjen e medias dhe impaktin që ato shkaktojnë në publik
Të krijojë një baze të qëndrueshme në mënyrë që shërbime të tilla, të ngjashme të shtohen në të ardhmen, duke forcuar organizmat vetë – rregullatore, për çështjet që kanë të bëjnë me median
Të krijojë një përqasje informuese ndaj kryeredaktorëve të lajmeve, nëpërmjet ofrimit të të dhënave të përpunuara, të rasteve të shkeljes ë Kodit të Etikës
Neni 8. Gjuha e Urrejtjes
Media duhet të mos botojë materiale që nxisin urrejtje apo dhunë ndaj individëve mbi bazën e racës, fesë, kombësisë, ngjyrës, origjinës etnike, anëtarësisë, gjinisë, orientimit seksual, statusit civil, paaftësisë, sëmundjes apo moshës.
Çdo botim duhet të mos specifikojë origjinën, etnicitetin, kombësinë, racën, fenë apo orientimin seksual të një grupi apo individi, përveç rasteve kur gjykohet e rëndësishme dhe e nevojshme për të kuptuar më mirë faktet dhe opinionet e paraqitura në publikim.