Nisur nga eksperienca të mëparshme, në kuadër të një projekti të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, institucioni i Avokatit të Popullit si pjesë e Aleancës Kundër Urrejtjes, inicioi procesin e hartimit dhe konsultimit të Kodit të Sjelljes së partive politike shqiptare, gjatë fushatave zgjedhore. 160 Në bashkëpunim me Komisionerin Shtetëror për Zgjedhjet, në një aktivitet të zhvilluar nga Aleanca Kundër Urrejtjes, ky Kod Sjelljeje u konsultua me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë si dhe të tërë subjektet garues që morën pjesë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në përfundim të konsultimeve, ky Kod u miratua (nënshkrua) nga partitë kryesore politike në versionin e propozuar nga Aleanca Kundër Urrejtjes, dhe vlen të theksohet se ky Kod do të jetë i vlefshëm edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore apo parlamentare.
Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes, anëtar themelues i së cilës është Avokati i Popullit në Shqipëri tok me institucione të tjera të mbrojtjes së të drejtave të njeriut e organizata vendore e të huaja, ka përpiluar “Kodin e Sjelljes për Partitë Politike në Shqipëri”.
Pikat kryesore të Kodit konsistojnë te:
Zbatimi i standardeve më të mira ndërkombëtare demokratike në fushatat elektorale bazohet në respektimin e dinjitetit të barabartë të të gjitha qenieve njerëzore, lirinë e shprehjes dhe mendimit, dialogun demokratik, tolerancën dhe respektin e ndërsjelltë, duke luftuar kundër të gjitha formave të pretenduara të epërsisë së një grupi ndaj të tjerëve, si dhe diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes.
Mbështetja e standardeve etike nga partitë politike, udhëheqësit e tyre, përfaqësuesit dhe kandidatët e zgjedhur, është thelbësore për të siguruar integritetin e demokracisë shqiptare, jo vetëm në arenën elektorale, por edhe më gjerë në kuadër të proceseve politike dhe shoqërore.
Për të adresuar sfidat aktuale të paraqitura në kontekstin e fushatës elektorale në Shqipëri, Aleanca kundër Gjuhës së Urrejtjes (AKGjU), në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve filloi një proces konsultativ me subjektet zgjedhore për të krijuar për herë të parë një "Kod të Sjelljes për Partitë Politike ".
Mbështetur nga projekti i përbashkët i Bashkimi Evropian dhe Këshillit të Evropës për Promovimin e Diversitetit dhe Barazisë në Shqipëri, në kuadër të Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022, Kodi i Sjelljes parashikon standardet më të mira Evropiane në këtë fushë, në përputhje edhe me rekomandimet e Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI).
Kodi përcakton rregulla të qarta të sjelljes për Partitë Politike, subjektet konkurruese dhe mbështetësit e tyre, në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor e cila duhet të garantojë zbatimin e standardeve më të larta demokratike.
Kodi i Sjelljes u vlerësua dhe u mirëprit kryesisht nga përfaqësuesit e subjekteve kryesore zgjedhore, si një mjet i rëndësishëm për drejtimin e sjelljes etike në periudhën e zgjedhjeve dhe më gjerë, duke u pajtuar edhe me dispozitat e tij. Zbatimi i tij do të monitorohet nga anëtarët e Aleancës kundër Gjuhës së Urrejtjes dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në veçanti në lidhje me gjuhën e urrejtjes të përdorur në mediat tradicionale dhe sociale nga subjektet zgjedhore gjatë fushatës.